8.7 C
Pristina
Friday, December 3, 2021

Presidenti amerikan Joe Biden lëshon ‘artilerinë e rëndë’ në rajon

Në muajt e fundit shumëkush ka parë me interes një qasje të re dhe ndryshe të administratës Biden. E nisi me kërcënimin për sanksione, për këdo që synon të minojë marrevëshjet e arritura në rajonin e Ballkanit Perëndimor që i dhanë fund luftës, e deri tek kërcënuesit e stabilitetit.

Më pas u vazhdua me nominimin e emrave të njohur që kanë përdorur me mjeshtëri artin e negocimit për t’u dhënë fund luftërave në Ballkanin Perëndimor.

Masat ndëshkuese për destabilizuesit e Ballkanit Perëndimor

Presidenti Biden e nisi me urdhrin ekzekutiv i cili parashikon bllokim pasurie në formë pronash dhe ndalim të hyrjes në SHBA të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, që nga kërcënimi i paqes, sigurisë, stabilitetit ose integritetit territorial të çdo zone ose shteti, përfshirje në veprime që minojnë proceset demokratike, abuzimeve të të drejtave të njeriut ose përfshirje e drejtpërdrejt ose indirekte në korrupsion zyrtarë ose ish zyrtarë në çdo nivel të qeverisjes.

James O’Brien – i nominiari për për ekzekutimin e këtij urdhri

O’Brien do të jetë Koordinator për Politikat e Sanksioneve me gradën Ambasador. Ai më parë ka shërbyer në dy administrata amerikane si i dërguar special i Presidentit.

Si i dërguari i parë presidencial për çështjet e pengjeve midis 2015 dhe 2017, ai ndihmoi në krijimin e zyrës dhe punoi për kthimin e sigurt të njëqind qytetarëve amerikanë.

Nga viti 1989 deri në vitin 2001, ai shërbeu si Këshilltar i Lartë i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, dhe i dërguari i presidentit për Ballkanin.

Të përzgjedhurit e Presidentit Biden për Ballkanin Perendimor

Biden ka sjellë në rajon diplomatë të sprovuar me zgjidhje konfliktesh, e negociata të vështira që shënuan fundin e luftës.

Njeriu kyç qe do te merret posaçërisht me zhvillimet ne Ballkanin Perëndimor është Gabriel Escobar.

Escobar u emërua në postin e zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Beograd në gusht të vitit 2019. Më herët, ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.

Nga viti 1998 deri më 2001, Escobar ka shërbyer si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, shef i degës së ambasadës në Banja Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak kohë pas rihapjes së ambasadës në Beograd ka shërbyer si shef i njësisë politike në Ambasadën amerikane.

Eskobar njeh mirë dhe politikën ruse pasi ai ka shërbyer edhe si zëvendës-konsull në Moskë.

Gabriel Escobar, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak.

Escobar flet gjuhën spanjolle, ruse, italiane, serbe, çeke dhe portugeze.

SHBA dhe Serbia

Serbia është çelësi kyç për stabilitet dhe destabilitet në rajon. Për këtë arsye Presidenti Biden ka nominuar një peshë të rëndë të diplomacisë si ambasador në Serbi si Christofer Hill.

Hill konsiderohet si një negociator i vështirë dhe këtë status e konfirmoi edhe gjatë periudhës kur ishte i dërguar special për Kosovën në negociatat e vitit 1999 në Rambuje të Francës, i cili luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje, ku ishte pjesë e grupit të njohur si i kontaktit. Diplomati Hill gjithashtu ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Ai punoi në Shkup si diplomat nga viti 1996 deri më 1999.

Në maj të vitit 1998, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e emëroi atë të dërguar për Kosovën. Ish-ministri i Jashtëm i Jugosllavisë së atëhershme, Vlladisllav Jovanoviq deklaroi për televizionin serb Prva më 14 tetor se Hill ka aftësi diplomatike, por edhe një “grusht të fortë”.

“Pasi është një sinonim i politikës së shkopit dhe karotës, kjo do të thotë se nuk është vetëm i vështirë, por nëse është e nevojshme, shumë i vështirë, sepse ai zhvillon negociata nën kërcënimin e përdorimit të masave më të forta, siç janë sanksionet financiare, izolimin apo ndonjë lloj tjetër të kërcënimit ose ndëshkimit”, tha Jovanoviq.

Në pyetjen se çfarë mund të presin serbët nga një nominim i tillë, ish-ambasadori Ivan Vujaçiq thotë se politika e jashtme e SHBA-së nuk është çështje personale.

SHBA dhe Kosova

Interesante është dhe përzgjedhja që presidenti Biden ka bërë për emrin e ambasadorit në Kosovë.

Jeffrey M. Hovenier i cili pritet të marrë postin e ambasadorit ne Kosovë është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari për statusin e Kosovës.

Ahtisari u caktua në 2006, si i dërguar special i OKB-së për bisedimet mes serbëve dhe kosovarëve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.

Përmes biografisë së tij “The Mediator” (Ndërmjetësi) vjen qasja e Ahtisarit ndaj Kosovës në përshkrimin e takimit në Beograd me Kryeministrin e atëhershëm, Vojisllav Koshtunica, takim në të cilin I prezantoi propozimin për pavarësi. “Ju e keni humbur Kosovën. Tani duhet të kujdesemi si ta pastrojmë këtë fëlliqësirë që ka lënë Millosheviqi mbrapa”, i kishte thënë Ahtisari teksa takimi kishte përfunduar keq dhe pa shtrëngim duarsh.

Si pjesë e këtij ekipi që ka negociuar dhe punuar shumë për paketën mbi të cilën u shpall pavarësia e Kosovës Hovenier, ka një eksperiencë të çmuar, dhe një informacion të plotë së në çfarë kornizash mund të zgjidhet çështja e dialogut Kosovë-Serbi.

Hovenier më herët ishte zëvendësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru. Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

SHBA dhe Bosnja dhe Hercegovina

Situatë e paqëndrueshme paraqitet edhe në Bosnje-Hercegovinë. Analistet vlerësojnë se kriza në këtë vënd nuk ka qenë kurrë kaq serioze, pas luftës, me sistemet e saj administrative, politike, elektorale, arsimore dhe shëndetësore që po dështojnë në mënyrë të vazhdueshme.

Të ndarë midis politikave radikale konfliktuale të partive boshnjake, kroatë të Bosnjës dhe serbë të Bosnjës, institucionet e përbashkëta u bllokuan në mënyrë efikase për një kohë të gjatë para se politikanët e Republikës Srpska – qeverisës dhe opozitarë – të braktisnin presidencën shtetërore, qeverinë dhe parlamentin në korrik.

Ata e bënë këtë në shenjë proteste kundër një ligji të diskutueshëm që ndalon mohimin e gjenocidit, i cili u imponua nga mbikëqyrësi ndërkombëtar i marrëveshjes së paqes të Bosnjës.

Milorad Dodik anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kryetari i partisë më të fortë të Republikës Srpska, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur, ka shtuar retoriken për “shpërbërje paqësore” të Bosnje-Hercegovinës

Angazhimi dhe ndikimi i SHBA-së dhe BE-së në Ballkan kanë qenë në rënie prej vitesh, si rezultat edhe mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe BE-së gjatë presidencës Trump. Por duket se Biden ka një tjetër qasje, ndoshta dhe për shkak të njohjes së mirë te situatës ne Rajon dhe një marrëdhënie të re të ndërtuar me BE.

Kjo duket dhe nga emri i përzgjedhur si ambasador të ardhshëm i SHBA-ve në Bosnjë dhe Hercegovinë

Michael Murphy, shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euro-aziatike. Ai mbikëqyr sigurinë evropiane, duke përfshirë NATO-n, OSBE-në, kontrollin e armëve konvencionale dhe politikën e sigurisë së Arktikut, si dhe marrëdhëniet dypalëshe me vendet e Evropës Veriore dhe Baltike.

Më parë, Murphy shërbeu si Drejtor i Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjet Politiko-Ushtarake në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euro-aziatike. Ai ishte Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, dhe shërbeu për tre vjet si Këshilltar Politik në Ambasadën Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ish i dërguari për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, është emëruar si person përgjegjës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë, një vendim ky, që Uashingtoni thotë se është shenjë e përkushtimit të tij në rajon.

A do të ketë një zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve në rajon?!

Gabriel Escobar, James O’Brien, Christofer Hill, Michael Murphy, Jeffrey M. Hovenier, Matthew Palmer është ekipi special që Joe Biden e ka përzgjedhur për të gjetur zgjidhje sa u përket situatave në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.

A do të mundet Biden me “këtë artileri të rendë” t’i japë fund problemeve të mbetura pa zgjidhur?!

Cila do të jetë zgjidhja?

A do të ketë ndarje të Bosnje Hercegovinës, një shtet që sot duket në krizën më të madhe që nga paslufta?

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe a do t’i kënaqë në atë masë serbet sa të njohin pavarësinë e Kosovës, apo mbetet opsioni shkëmbimi i territoreve?

Cilat do të jenë kompetencat e asociacionit dhe nëse mbetën kompetencat ekzekutive a do të sjellin një bosnjëzim të Kosovës? Duke pare situatën, është e vështirë për t’u parashikuar, zgjidhjet por ajo që shihet qartë është angazhimi maksimal për të shkuar drejt një zgjidhje përfundimtare të çështjeve te mbetura pa zgjidhur nëse rajon përmes metodës së “shkopit dhe Karotës” që e përdor me sukses diplomacia amerikane.

Nëse nuk arrihet sot, atëherë e nesërmja mund të ofrojë surpriza të pakëndshme për rajonin dhe jo vetëm..

Lajmet e fundit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit. Në një konkurs të hapur nga Prokuroria Themelore në Prizren për...

Gjinia, mosha dhe vendi prej nga vije viktima e fundit nga koronavirusi në Kosovë

Një viktimë është regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton OurKosovo. Viktima është një grua e moshës 70-79 vjeçare nga Fushë Kosova. Gjatë 24...

Publikohet raporti 24 orësh i rasteve me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë

1 viktimë dhe 13 raste të reja me COVID-19. Në 24 orët e fundit në Kosovë është regjistruar një viktimë nga COVID-19, raporton OurKosovo. Gjatë kësaj...

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës: Dialogu varet vetëm nga palët. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian...

TE NGJASHME

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit. Në një konkurs të hapur nga Prokuroria Themelore në Prizren për...

Gjinia, mosha dhe vendi prej nga vije viktima e fundit nga koronavirusi në Kosovë

Një viktimë është regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton OurKosovo. Viktima është një grua e moshës 70-79 vjeçare nga Fushë Kosova. Gjatë 24...

Publikohet raporti 24 orësh i rasteve me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë

1 viktimë dhe 13 raste të reja me COVID-19. Në 24 orët e fundit në Kosovë është regjistruar një viktimë nga COVID-19, raporton OurKosovo. Gjatë kësaj...

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës: Dialogu varet vetëm nga palët. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian...