-0.7 C
Pristina
Tuesday, November 30, 2021

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’

Katër vite më parë e dorëzuan garën, për të mos i dalë përballë, siç deklaronin atëkohë – familjes Jashari. Katër vite pas, lufta politike mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Bekim Jasharit në Skenderaj ka marrë përmasë tjetër.

Sami Lushtaku në një anë, Bekim Jashari në anën tjetër kanë “luftuar” në çdo shtëpi të Skenderajt për të marrë votë. Njëri për bashkëpartiakun e tij, Fadil Nurën, e tjetri për veten. Rezultatet preliminare kanë nxjerrë fitues me mbi 50% kandidatin e PDK-së, Fadil Nura. Por këtë rezultat nuk po e pranon Bekim Jashari, që ka akuzuar hapur oponentët e tij politikë për vjedhje të votave. Pretendimi i tij është se ka pasur vjedhje në sistemin e “trenit bullgar”.

18 vjet pas luftës së fundit, Bekim Jashari, djali i heroit kombëtar, Hamëz Jashari, njoftoi opinionin se do t’i hyjë garës politikës duke shpallur kandidaturën për kryetar të Skenderajt si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale që priteshin të mbaheshin atë vit.

“Këto ditë qe lamë pas kanë qenë ditët më të vështira për mua dhe familjen time, ndoshta që nga paslufta e deri më sot, por duke i parë zhvillimet e ditëve që lamë pas, e posaçërisht kërkesën e qytetarëve që unë të dalë për të parin e komunës tonë, mora guximin dhe vendosa që të dalë si kandidat i pavarur për kryetar të qytetit tonë”, kishte qenë njëra nga fjalitë e Jasharit në gusht të 2017 kur njoftoi zyrtarisht futjen në politikë.

Deri në atë kohë, as Bekim Jashari e as ndonjë pjesëtar tjetër nga familja e tij nuk ishin marrë me politikë.

Jashari, para se të bëhej kryetar Komune, kishte qenë nëpunës shtetëror për një kohë. Ai kishte shërbyer si kryetar i bordit në Agjencinë e Shërbimeve te Navigacionit Ajror (AShNA) që menaxhon trafikun ajror të Kosovës. Aeroporti ndërkombëtar mbanë emrin e xhaxhait të tij, komandantit legjendar, Adem Jashari.

Kandidimi i Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale të 2017, ishte befasi për shumëkënd. Madje pati edhe zëra kritikë që kundërshtuan përfshirjen e familjes Jashari në politikë.

Deri në vitin 2017, komuna e Skenderajt që nga shpallja e pavarësisë ishte udhëhequr nga kryetarë që vinin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, kur Jashari kandidoi, PDK, që në atë kohë kishte për kryetar Kadri Veselin, vendosi që të tërhiqet nga gara, duke i dhënë mbështetje absolute Bekim Jasharit.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në muajin nëntor të 2017, Bekim Jashari ishte në garë me Hysni Mehanin nga Lëvizja Vetëvendosja, Musa Dervishaj nga Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Isa Fejzullahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Jashari mori 85.5% të qytetarëve që votuan dhe që në raundin e parë u vu në krye të Komunës për 4 vitet e ardhshme.

Mbështetja që u zbeh shpejt

Vitet e fundit të mandatit të parë si kryetar komune, Bekim Jashari nuk i përfundoi ashtu siç i kishte nisur. Mbështetja që dukej e “pakompromistë” nga PDK për të, filloi të zbehej shumë shpejt. Në anën tjetër, as Jashari nuk u kursye me akuza, kryesisht në drejtim të Lushtakut.

Përplasja që do të çonte në njërën prej garave më të nxehta të zgjedhjeve lokale, nisi mes Sami Lushtakut, njeriut kryesor të PDK-së në Skenderaj, i cili kishte qenë kryetar i kësaj komune për dy mandate, dhe vetë kryetarit aktual. Por, çka e solli situatën në këtë pikë?

Çështja që më së shumti u diskutua mes të dyja palëve ishte koha e luftës dhe aktiviteti i atëhershme i Sami Lushtakut, si komandat i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës,

Në një intervistë dhënë emisionit Debat Plus në RTV Dukagjini në fund të vitit 2020, Jashari kishte pretenduar se Sami Lushtaku gjatë një periudhe të kohës së luftëskishte qëndruar larg pikave të nxehta të saj. Gjithashtu, sipas tij, gjatë kësaj periudhe ai ishte pasuruar dhe kishte blerë edhe tokë.

“Qytetarët thonë se e kanë pa [Sami Lushtakun] në një periudhë duke qëndru në Kotorr e Aqarrevë, me njësi speciale të UÇK-së. Aty s’ ka pas zonë lufte. Samiu ka ble tokë gjatë kohës së luftës në lagjen 3, atë villën që e qet kaniherë, edhe pat qit edhe me ish-presidentin Thaçi”, kishte thënë Jashari në Debat Plus më 17 dhjetor 2020.

Një ditë pas intervistës, Lushtaku kishte deklaruar se Bekim Jasharin do ta bënte “paçavër” nëse nuk do t’i përkiste familjes Jashari.

“M’vjen keq që z.Jashari e mbron aura e familjes së tij. [E ka] mbiemrin i familjes, se ta kisha bo paçavër atë . Jashari nuk mundet me ma ndalë Drenicën dhe ajrin. Unë që 20 vjet mas lufte kam bërë fushatë nëpër oda të Drenicës dhe nuk mundet me ma ndalë. S’ka bir nane që mundet me ma ndalë”, kishte deklaruar Lushtaku.

Akuzat e ndërsjella, nuk mbetën pa lënë gjurmë. Jashari kërkonte mandatin e dytë, e Lushtaku njoftoi se do të kthehej edhe njëherë për mandatin e tretë. Kështu, Jashari do ta kishte kundërkandidat njeriun prej të cilit e mori mbështetjen e plotë për t’i hyrë politikës.

Në fillim të ktij viti, Lushtaku kishte deklaruar haptas se do të garoj për kryetar të Skenderajt, duke thënë se ‘një mundësi të dytë nuk ia jap askujt’.

“Unë do të kandidoj për kryetar të Skenderajt dhe sigurisht që do ta kem përkrahjen e PDK-së. Kandidatura ime është përkrahur dhe nga kryetari Veseli, gjatë kohës sa ka qenë këtu”, kishte thënë Lushtaku në janar të këtij viti.

Mirëpo ndryshe kishte deklaruar në një intervistë televizive në Kanal 10, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Kadri Veseli ka thanë se sa të është ai kryetar i PDK-së, nuk vendos kundërkandidat ndaj një anëtari të familjes Jashari”, kishte deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, krejt pas zgjedhjeve, pasuesi i Veselit në PDK, Memli Krasniqi deklaroi se gara ka qenë e imponuar.

“Nuk ka qenë garë që e kemi dëshiru. Garë që na u ka imponu, por nuk kemi mundur që ta shmangim sepse Skenderaj për PDK-në ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm. Ndërlidhet me trashëgimin dhe historinë tonë. Këtë herë, nuk mund të rrinim duarkryq dhe ta linim Skenderajn, një bastion tradicional i PDK-së, pa adresë”, ka thënë Krasniqi në Kanal10 më datën 21 tetor 2021.

Përkundër kësaj, Lushtaku mori formalisht aprovimin e degës së PDK-së në Skenderaj dhe dorëzoi aplikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Por para se të tentonte garimin për kryetar komune, PDK e kishte provuar edhe ‘jokerin’ e fundit.

PDK bashkë me Lushtakun e kishin ftuar Jasharin që të garonte për kryetar të Skenderajt në ‘flamurin e PDK-së”.

“E kam lut që nëse do me kanë me Partinë Demokratike, i kam thanë që unë jam i gatshëm me ndihmu deri në fund. Nuk jam i gatshëm as unë as PDK-ja në Skenderaj që me ja dhanë mundësinë e dytë kurrkujt”, kishte thënë Lushtaku në një përgjigje për KALLXO.com në muajin gusht 2021.

Kjo ofertë e PDK, ishte refuzuar në heshtje nga Jashari, duke hapur kështu zyrtarisht frontin më të madh politik në rajonin e Drenicës që nga paslufta. Refuzimi i Jasharit për të garuar nën logon e PDK-së, nënkuptonte ballafaqim të hapur e garë të ashpër për marrjen e një mandati të dytë.

Fakti që nuk do të gëzonte mbështetje nga struktura e mirë organizuar e PDK-së në Skenderaj, e shtyri Jasharin të punonte në ndërtimin e një profili të ri si politikan lokal duke krijuar strukturë e listë për asamble.

Për katër vite si kryetar, Bekim Jashari e kishte qeverisur Skenderajn duke mos pasur strukturë politike të veten.

Madje, ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku, kushëriri i Sami Lushtakut, u bë nënkryetar në qeverisjen e Bekim Jasharit e disa prej drejtorëve të tij, ishin zyrtarë të degës së PDK-së në Skenderaj. Nuredin Lushtaku u rreshtua pas Bekim Jasharit edhe në zgjedhjet e tetorit të këtij viti. Ai ishte bartës i listës së pavarur të Bekim Jasharit.

Ai krijoi listën e tij të pavarur, që e quajti “Ideal për Skenderaj”.

LDK, LVV dhe AKR nuk vendosën kandidat të tyre për kryetar komune, në shenjë respekti për familjen Jashari.

Kjo ishte hera e parë që PDK kishte një kundërkandidat që mund të përbënte “kërcënim” për lëkundje apo thyerje në bastionit të saj kryesor, Skenderajn.

Madje PDK në Skenderaj kishte zgjedhur slloganin “PDK nuk thyhet”.

Që nga shpallja e pavarësisë, në dy palë zgjedhje – 2009 dhe 2013, PDK kishte garuar me Sami Lushtakun si kandidat për kryetar komune. Në të dyja këto zgjedhje, ai kishte marrë besimin e mbi 85% të atyre që kishin votuar.

Historiku i njohur i Lushtakut me organet e drejtësisë iu bë pengesë e pakapërcyeshme për t’u ballafaquar drejtpërdrejt me Bekim Jasharin në zgjedhjet e 17 tetorit të 2021.

Ai nuk u certifikua nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), pasi që dy muaj para zgjedhjeve lokale, iu konfirmua një dënim nga Gjykata Supreme.

Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Mirëpo, as kjo nuk e ndaloi Lushtakun. Ai u shpreh i bindur se do të jetë në krye të komunës së Skenderajt.

“Unë i siguroj qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor për PDK-në unë do të jem në krye të qeverisë se Skenderajt. Skenderaj dhe PDK janë rritur e zhvilluar së bashku”, ishte reagimi i parë i Lushtakut pas moscertifikimit nga ana e KQZ-së.

Ai vendosi që stafetën e kandidimit t’ia dorëzoj deputetit të PDK-së, Fadil Nurës. Ky i fundit kishte shërbyer si nënkryetar i Komunës gjatë kohës sa Lushtaku kishte qenë kryetar.

Fushatë në emër të UÇK-së

Jozyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit kishte nisur qysh në muajt e parë të verës, por zyrtarisht nisi me 16 shtator, një muaj para ditës së zgjedhjeve.

Këto zgjedhje lokale, ishin të parat për PDK-në pa dy figurat kyçe të saj, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, ata po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë, duke u përballur me akuzat për krime lufte.

Ndonëse ata munguan fizikisht, PDK-ja në Skenderaj përdori figurat e tyre gjatë gjithë fushatës elektorale, duke kërkuar votë në emër të tyre.

Edhe pse nuk ishte zyrtarisht në garë, në fushatën zgjedhore të PDK-së, në qendër të vëmendjes ishte Sami Lushtaku, e krejt në rend të dytë vinte kandidati Fadil Nura.

Por jo e gjithë PDK-ja ishte rreshtuar pas Lushtakut e Nurës. Figura të rëndësishme të kësaj partie, kishin dalë haptas në mbështetje të Bekim Jasharit.

Bekim Haxhiu, deputet i disa legjislaturave të PDK-së, publikisht e mbështeti gjatë gjithë fushatës Bekim Jasharin.

“Jam PDK, jam UÇK, jam me familjen Jashari, jam me kryetarin Bekim Jashari dhe kam me vazhdu njëjtë me qenë. Është nderi më i madh që mundet PDK-ja me ma bë është me m’përjashtu për Jashart”, ishte deklaruar Haxhiu në televizionin Kanal10, ku kishte shkuar bashkë me Bekim Jasharin 2 ditë para votimeve.

Kryetari i komunës motër të Skenderajt, Drenasit, Ramiz Lladrovci ishte poashtu njëri prej njerëzve kryesor të PDK-së që nuk mbështeti Lushtakun në përplasjen e nxehtë mes tij dhe Jasharit.

“100 Sami Lushtaka i jepi për Bekim Jasharin”, kishte deklaruar në Televizionin 7, Lladrovci në qershor të këtij viti.

Megjithatë në përfundim të garës, kur fushata veçse ishte nxehur, Lladrovci kishte qëndruar i heshtur duke mos u deklaruar për garën në Skenderaj.

Kur Jashari mori mandatin e parë, fushata e tij ishte shumë më e varfër në përpjekje për shkak të mbështetjes që kishte marrë qysh në fillim.

Mirëpo, fushata e këtyre zgjedhjeve ishte ndryshe për të.

Deri në këto zgjedhje, ishte familja Jashari ajo që vizitohej pothuajse nga të gjithë politikanët gjatë fushatave zgjedhore. E për herë të parë, Kosova pa figurën emblemë të familjes Jashari — vëllain e Adem dhe Hamëz Jasharit — Rifati, bëhet pjesë e fushatës politike në Kosovë.

Ai doli përkrah Bekim Jasharit të votës për Bekim Jasharin.

Kjo nuk kishte ndodhur në kohën kur Jashari e kishte “fitoren e sigurtë” katër vite më parë.

Qyteti i Skenderajt u mbush edhe me pano të Bekim Jasharit. Pranë tij ishin vendosur fotografia e Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharit.

Festa “madhështore” e PDK-së

Natën e 17 tetorit, sheshit i Skenderajt kumbonte nga muzika e krismat e armëve.

Rezultatet preliminare të KQZ-së që nxjerrin Fadil Nurën fitues pa balotazh, bënë që shumë qytetarë të dilnin në rrugë për ta festuar fitoren e PDK-së.

Madje nga gjuajtja e armëve një person mbeti i plagosur.

Në rrjetet sociale u komentua shumë festa e simpatizanëve të PDK-së në Skenderaj. Festa konsiderohej e ekzagjëruar.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri ka komentuar festën e PDK-së natën e 17 tetorit.

Ai thotë se është e vështirë për militantët politikë që të mbahen nën kontoroll në çaste fitoresh të rëndësishme. sepse niveli i entuziazmit është maksimal.

Duke komentuar këtë, Muhaxhiri nxjerrë në pah faktin që angazhimi në politikë i Bekim Jasharit ka lënë të nënkuptohet se momente të tilla mund të vinin në shprehje gjatë rrugëtimit të tij politik.

“Angazhimi i Bekim Jasharit në politikën aktive domosdoshmërisht ka nënkuptuar edhe arritjen e patjetërt në një moment konfliktuoz mes heroizmit epik që përfaqëson Familja Jashari dhe interesave të vrazhda të sistemeve politike dhe partiake”, thotë ai.

Por sipas kryetarit të PDK-së, festa nuk duhet t’i pengonte askujt.

“Festa nuk duhet t’i pengojë askujt. Nuk është dashur t’i pengojë sepse nuk ishte e drejtuar ndaj askujt. Ishte festë për PDK-në”, i komentonte në Televizionin 7, Memli Krasniqi reagimet e atyre që flisnin për festëne PDK-së në Skenderaj.

Sipas Muhaxhirit, përplasja politike e 17 tetorit është hera e parë që familja Jashari nuk ka marrë vlerësimin maksimal, për shkak se kjo ngjarje ka qenë e një natyre krejt tjetër.

“Angazhimi i Bekim Jasharit në politikën aktive domosdoshmërisht ka nënkuptuar edhe arritjen e patjetërt në një moment konfliktuoz mes heroizmit epik që përfaqëson Familja Jashari dhe interesave të vrazhda të sistemeve politike dhe partiake. Kjo përplasje ka ndodhur në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kur për herë parë Familjes Jashari nuk iu është dhënë vlerësimi maksimal nga qytetarët. Natyrisht, duhet theksuar vazhdimisht që kjo situatë nuk ka ndodhur në arealin përkatës të diskurseve mbi sakrificën e saj për çlirimin e Kosovës, por pas kalimit në një domen krejtësisht tjetër, aty ku funksionin një realitet special”, thotë Muhaxhiri.

“Kapitali i jashtëzakonshëm simbolik të cilin e posedon Familja Jashari ka vend të veçantë në historinë e vendit tonë. Mirëpo, arena brutale e politikës, në të cilën vlejnë rregulla dhe norma specifike, ka kapacitet t’i sfidojë edhe indikatorët më sublimë të shoqërisë”, shtoi Muhaxhiri.

Në këto zgjedhje, përveç Bekim Jasharit e Fadil Nurës, në garë për kryetar të Skenderajt ishte edhe një kandidat tjetër.

Sokol Halili nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj ishte kandidati i tretë, i cili sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka marrë 1.37% apo 298 vota në total.

Renditja e parive politike në Skenderaj nuk pati ndryshim as për asamble, përveç përqindjes më të lartë.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar më së shumti ulëse në Kuvendin Komunal të Skenderajt me 54.07%. Ndërkaq e dyta radhitet Lista e Pavarur e Bekim Jasharit me 31.2% për qind. Më pas është Lëvizja Vetëvendosje me 5.06%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 2.03%, Nisma Socialdemokrate me 1.87%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 1.06%, ndërsa rreth 4,44% të votave kanë shkuar për partitë tjera.

Pluhuri që u ngrit pas 17 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve qysh natën e 17 nëntorit nisi publikimin e të dhënave nga tereni.

Nga numërimi i votave, Fadil Nura po qëndronte më përpara se Bekim Jashari për disa përqind.

Ndryshimi i përqindjes në raport me Exit Poll që u publikuan natën e 17 nëntorit nga disa televizione në Kosovë, për Bekim Jasharin ishin argumenti i parë për të nisur kontestimin e gjatë të procesit zgjedhor.

Sipas një Exit Poll-i të prezantuar nga Klan Kosova pak minuta pas mbyllës së vendvotimeve, Bekim Jashari do ta fitonte Skenderajn më 54.8%, ndërsa kandidati i PDK-së, Fadil Nura radhitej i dyti me 42.2%.

Në ndërkohë, pati akuza edhe për vjedhje të votave në sistemin që fillimisht ishte aplikuar në Bulgari e që njihet sot “Treni Bullgar”.

“Treni bullgar” është një sistem që përdoret për manipulimin e votës. Ajo nënkupton që një votues jashtë qendrës së votimit merr një fletëvotim të plotësuar nga dikush tjetër e të cilin e fut në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e merr në mënyrë të rregullt e të vulosur, e nxjerrë jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër dhe kështu krijohet sistemi i “Trenit bullgar”.

“Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën”, ka thënë Jashari në orët e vona të 17 tetorit përmes një shkrimi në “Facebook”.

Dyshimet e tyre, ekipi i Bekim Jashari i drejtoi edhe në Panelin Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa (PZAP) me dhjetëra ankesa kundër PDK-së.

Në vendimet e publikuara nga PZAP më datën 21 tetor, konstatuan se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt. Përderisa tri ankesa të këtij lloji u hodhën poshtë.

Bekim Jashari në shumicën e ankesave kishte kërkuar që në disa qendra të ketë rinumërim të votave, mirëpo PZAP i hodhi poshtë me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Në anën tjetër PDK-ja kryesisht kishte bërë ankesa për thyerje të heshtjes zgjedhore nga ekipi i Bekim Jasharit. Pas një ankese të PDK-së, kandidati Bekim Jashari u dënua me gjobë në vlerë prej 1 mijë e 800 euro.

Vendimet e PZAP mund të apelohen në Gjykatën Supreme, e cila ka afat deri në 72 orë për të trajtuar secilën ankesë që mund të bëhet nga partitë politike.

Derisa, Bekim Jashari po e mbyllë procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit duke akuzuar PDK-së për vjedhje të votave, kështu e kishte përshëndetur vendimin e saj për të mos i dalë përballë në 2017.

“Dhe krejt në fund më lejoni që ta përshëndes vendimin e Partisë Demokratike për mos vënien e kandidatit për kryetar në komunën tonë”, kishte shkruar Jashari në gusht të 2017.

Ndërsa 4 vite më vonë, Bekim Jashari u falënderua në këtë mënyrë nga ai që do e zëvendësoj në detyrën e kryetarit, Fadil Nura.

“Një falënderim për Bekim Jasharin, kundërkandidatin tim nga Lista Ideal. Kanë udhëhequr një fushatë të qetë, çka meriton të duartrokitet”, kishte shkruar Nura, që në të njëjtën deklaratë kishte shpreh falënderim edhe për Sami Lushtakun.

“Është kryetari Sami Lushtaku, ai i cili na dha forcën që po na shterej dhe besimin se fitorja nuk ishte e paarritshme”, kishte shkruar Nura në orët e vona të 17 tetorit.

Lajmet e fundit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit. Në një konkurs të hapur nga Prokuroria Themelore në Prizren për...

Gjinia, mosha dhe vendi prej nga vije viktima e fundit nga koronavirusi në Kosovë

Një viktimë është regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton OurKosovo. Viktima është një grua e moshës 70-79 vjeçare nga Fushë Kosova. Gjatë 24...

Publikohet raporti 24 orësh i rasteve me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë

1 viktimë dhe 13 raste të reja me COVID-19. Në 24 orët e fundit në Kosovë është regjistruar një viktimë nga COVID-19, raporton OurKosovo. Gjatë kësaj...

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës: Dialogu varet vetëm nga palët. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian...

TE NGJASHME

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit

Dyshime se Prokurori ndikoi në punësimin e resë së tij në Prokurorinë e Prizrenit. Në një konkurs të hapur nga Prokuroria Themelore në Prizren për...

Gjinia, mosha dhe vendi prej nga vije viktima e fundit nga koronavirusi në Kosovë

Një viktimë është regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton OurKosovo. Viktima është një grua e moshës 70-79 vjeçare nga Fushë Kosova. Gjatë 24...

Publikohet raporti 24 orësh i rasteve me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë

1 viktimë dhe 13 raste të reja me COVID-19. Në 24 orët e fundit në Kosovë është regjistruar një viktimë nga COVID-19, raporton OurKosovo. Gjatë kësaj...

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës

Ambasadorja e Britanisë në Beograd flet për aksionet në veri të Kosovës: Dialogu varet vetëm nga palët. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian...